“I tha Hadixhes pasi ia tregoi lajmin: ‘U frikësova për veten’.
E ajo i tha: ‘Kurrsesi (mos u frikëso)! Pasha Allahun nuk të trishton ty Allahu kurrë! Sepse ti: i mban lidhjet farefisnore, e ndihmon atë që është i varur nga të tjerët, i jep atij që s’ka, e respekton mikun, je i gjindshëm në fatkeqësi [dhe thua gjithmonë të vërtetën].”
(Bukhari:3. Ndërsa shtesa është po aty te kapitulli i tefsirit)

Thotë Ibn Haxheri: “E përshkroi atë me bazat e moraleve të fisme”
“Fet’h” fq. 33.

Nga ky hadith kuptojmë se besimi i natyrshëm që ekziston në shpirtrat e pastër është se: shpërblimi është sipas veprës. (Ti je i mirë prandaj bindu se nuk do të gjesh prej Zotit tënd veçse të mirën)
Dhe se “Allahu nuk e humbet shpërblimin e vepërmirëve”.
Kjo është bindje që ekziston vetvetiu në natyrat e pastra, dhe ky është ligj i Allahut që kuptohet edhe nga fjala e melekut drejtuar Haxheres, i cili pasi i tregoi asaj se ky foshnje, bashkë me të atin e tij, do të ndërtojnë këtu një vend-adhurimi (Qaben), i tha: “Allahu nuk i humbet robërit e Tij!”
Prandaj bëj mirë se do të gjesh mirë!