Agjërimi ka shumë dobi, prej tyre: ngritja e gradave në Xhennet, fshirja e gjynaheve, dobësimin e epsheve, shtimin e shpërblimeve, zhdërvjelltësimin për adhurime, falënderim ndaj Njohësit të fshehtësive, frenim nga mendimet për mëkate.

Sa i takon ngritjes së gradave, kjo bazohet mbi fjalën e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – “Kur vjen Ramazani hapen dyert e Xhennetit, mbyllen fort dyert e Zjarrit dhe prangosen shejtanët”.[1]

Dhe mbi fjalën e tij – alejhisselam – ku përcjell fjalët e Zotit të tij: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Dhe agjërimi është mburojë, prandaj kur të jetë dita e agjërimit të ndonjërit prej jush le të mos flasë pahijshëm dhe të mos bërtasë. E nëse e shan dikush apo e sulmon le të thotë: ‘Unë jam në agjërim. Unë jam në agjërim.’
Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit, era që vjen nga goja e agjëruesit është më e këndshme tek Allahu Ditën e Kijametit  se sa aroma e parfumit.
Dhe agjëruesi ka dy gëzime me të cilat gëzohet: kur e çel agjërimin gëzohet me çeljen e tij, dhe kur të takohet me Zotin e tij gëzohet me agjërimin e tij”[2]

Dhe prej tij përcillet po ashtu se ka thënë: “Çdo vepër që bën biri i Ademit (njeriu) i shumfishohet shpërblimi i saj: një e mirë me dhjetë shpërblime deri në shtatëqind fish. Thotë Allahu i Lartmadhëruar: Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Ai lë dëshirat e tij dhe ushqimin e tij për hirin Tim.”[3]

Dhe ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Me të vërtetë që në Xhennet është një portë të cilës i thonë: ‘Rajjan’, prej saj hyjnë agjëruesit Ditën e Gjykimit. Nuk hyn prej saj askush veç tyre. Thërritet: ku janë agjëruesit? Dhe ata hyjnë prej saj. Kur të futen të gjithë ajo portë mbyllet dhe nuk hyn më askush prej saj.”[4]

Ndërsa në një transmetim: “Me të vërtetë në Xhennet është një portë që quhet ‘Rajjan’, prej saj thërriten agjëruesit. Kush ka qenë prej agjëruesve hyn prej saj, dhe kush hyn tek ajo portë nuk do të ketë më etje kurrë”[5]

Dhe ka thënë Profeti – mbi të qoftë paqja – : “Me të vërtetë engjëjt luten për agjëruesin kur haet ushqim në prani të tij derisa ata të mbarojnë ushqimin”[6]

Ndërsa hapja e portave të Xhennetit nënkupton shtimin e adhurimeve të cilat janë shkak për hapjen e dyerve të tij. Dhe mbyllja e dyerve të Xhehennemit nënkupton pakësimin e gjynaheve dhe kjo shkakton mbylljen e dyerve të tij. Sa i takon lidhjes së djajve kjo do të thotë se nxitjet (cytjet) e tyre mbi agjëruesit ndërpriten sepse nuk shpresojnë që ata tu binden në gjynahe.[7]

Dhe fjala e të Lartmadhëruarit: “Çdo vepër që bën biri i Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të”. Ia atribuoi atë vetes në shenjë nderimi për të, për shkak se nuk hyn në të syfaqësia për shkak të fshehtësisë së tij, dhe për shkak se uria dhe etja  nuk bëhen për t’i bërë qejfin dikujt prej mbretërve të tokës, e as për idhujt.

Dhe fjala e Tij: “Unë shpërblej për të” edhe pse Ai shpërblen për të gjitha adhurimet nëkupton zmadhimin e shpërblimit të tij, Ai e merr përsipër shpërblimin e asaj vepre.

Fjal e tij: “Agjërimi është mburojë”, kuptimi i saj është: agjërimi të ruan nga dënimi i Allahut. Dhe fjalët e pahijshme janë të ndytat, dhe “bërtitja” ka për qëllim debatet.[8]

Fjala e tij: “le të thotë: Unë jam agjërueshëm” do me thënë: kështu e kujton veten e tij se është duke agjëruar që të mos përngjasohet me ofenduesin dhe ta përballë me të njëjtën monedhë.

Ndërsa fjala e tij: “era që del nga goja e agjëruesit është më e këndshme për Allahun Ditën e Kijametit se sa aroma e parfumit” këtu ka disa fjalë të nënkuptuara: shpërblimi i erës së gojës së agjëruesit është më i mirë tek Allahu se sa aroma e parfumit.[9]

E sa u takon dy gëzimeve, i pari prej tyre është për shkak të suksesit të realizimit të adhurimit (gëzohet që e realizoi me sukses atë adhurim jo të lehtë), dhe i dyti: gëzim për shkak të shpërblimit që do t’i japë Allahu (atë ditë).

Fjala e tij: “Ai i lë për hirin Tim epshet e tij dhe ushqimin” do të thotë: kur robi i jep përparësi bindjes ndaj Zotit të tij kundrejt thirrjes së epshit, sidomos kur ajo thirrje është e fortë, dhe epshi i fuqishëm, e shpërblen Allahu duke e marr Vet përsipër shpërblimin e tij. Dhe kush i jep përparësi Allahut, Allahu i jep përparësi atij, sepse Ai e vendos robin e Tij në atë pozitë që e vendos robi Zotin e tij. Për këtë arsye kur ai vendos të bëjë një gjynah pastaj e lë atë nga frika prej Allahut, Allahu u thotë engjëjve regjistrues: Shkruajani atij një shpërblim, sepse ai e la epshin e tij për shkakun Tim.[10]

Ndërsa hyrja e tyre e veçantë prej portës Rajjan, ata u veçuan me atë portë për shkak të adhurimit të tyre të veçantë dhe për shkak të pozitës së saj të veçantë.

Sa i takon lutjes së engjëjve për agjëruesin kur haet ushqim në prani të tij, ajo është për shkak se ai e la ushqimin edhe pse e kishte përpara, gjë që tregon kulmin e sundimit të tij ndaj vetes, dhe kjo gjë solli lutjen e tyre për të. Dhe ata i luten Allahut që ta mëshirojë dhe ta falë.

Sa u takon shlyerjes së gjynaheve kjo është sipas hadithit ku ai – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë: “Ramazani deri në Ramazanin tjetër shlyen gjynahet që bëhen mes tyre nëse u largohet gjynaheve të mëdha”[11]

Dhe për shkak të fjalës së tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke pritur shpërblimet e tij i falen gjynahet e kaluara”[12]

Qëllimi është: duke besuar se ai është detyrë dhe duke shpresuar shpërblimet e tij prej Zotit të tij.

Ndërsa ftohja e dëshirave të zjarrta vjen si pasojë e urisë dhe etjes, të dyja ato e shuajnë dëshirën për gjynahe. Gjithashtu është saktësuar se ai – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “O ju rë rinj, kush ka mundësi prej jush të martohet le të martohet, sepse ajo e ndihmon të ulë shikimin (nga harami)  dhe të ruajë organin e tij intim. Ndërsa ai që nuk mundet le të agjërojë, sepse ai është për të ndrydhje e epsheve.”[13]

“Uixha” (që në shqip e përshtatëm: ‘ndrydhje’) tekstualisht do të thotë: shtypja e testikujve të hamshorit, kështu e konsideroi Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të –  shuarjen që i bën epshit agjërimi.

Ka ardhur në një hadith: “Me të vërtetë shejtani rrjedh te biri i Ademit aty ku rrjedh gjaku” [14] prandaj ngushtojani rrugët atij me uri.

Ndërsa për sa i përket shtimit të shpërblimeve kjo ndodh për shkak se agjëruesi kur uritet kjo gjë e nxit që të ushqejë të uriturit.

“sepse të dashuruarit nuk i mëshiron veçse ai që dashuron”

Dhe na është përcjellë se Sulejmani apo Jusufi – mbi të dy ata qoftë paqja – nuk hante derisa të hante çdokush që kishte lidhje me të. Kur e pyetën për shkakun e kësaj tha: “Kam frikë se do të ngopem dhe do të harroj të uriturin.”

Ndërsa në lidhje me zhdërvjelltësimin për adhurime, kjo ndodh për shkak se kur ai kujton urinë dhe etjen e banorëve të Zjarrit e shtyn kjo që të shtojë adhurimet, që nëpërmjet tyre të shpëtojë nga Zjarri.

[Shënim i përkthyesit: Është e njohur gjendja e zemrës gjatë agjërimit për çdo agjërues, dhe se si ajo zbutet dhe rigjallërohet besimi në të, dhe kjo gjë ia bën të dashur muslimanit adhurimet dhe ia bën ato të lehta. Po ashtu është e njohur se adhurimet kanë simotra që thërrasin njëra-tjetrën dhe janë të kapura dorë për dore, si hallkat e një zinxhiri, ashtu si gjynahet kanë sivëllezër. Prandaj dikush prej të parëve tanë të mirë thoshte: Unë e bëj një adhurim që të më nxisë për një tjetër si ai. Dhe largohem nga gjynahu nga frika se do të më çojë në një tjetër. – Allahu na dhëntë sukses në këtë muaj për vepra të mira!] 

Sa i takon falënderimit të Njohësit të fshehtësive (Allahut të Madhëruar), kjo sepse kur agjëron njeh mirësinë e Allahut ndaj tij me ngopje dhe e falënderon për të. Sepse mirësive nuk u dihet vlera (plotësisht) veçse kur humbasin.

Sa i takon largimit të mendimeve të këqia kjo ndodh sepse kur njeriu ngopet anon kah gjynahet, ndërsa kur uritet dhe e merr etja e ka mendjen tek ushqimi dhe pija. Dhe animi i shpirtit kah lutjet dhe angazhimi me to është më i mirë se animi kah gjynahet dhe kundërshtimit të Allahut. Për këtë arsye dikush prej të parëve i jepte përparësi agjërimit ndaj të gjitha adhurimeve të tjera. Kur u pyet për këtë tha: “Që të shikojë Allahu në veten time dhe të gjejë në të anim kah ushqimi dhe pija është më e dashur për mua se të shikojë në të dhe të gjejë anim kah gjynahet pasi jam ngopur.”

Dhe agjërimi ka dobi të shumta të tjera si: shëndeti mendor, shëndeti fizik, dhe ka ardhur në hadith: “Agjëroni të jeni të shëndetshëm”[15] (Sh.p.: Hadith i dobët)

Nga vlera e tij është edhe se nëse e ushqen një agjërues do të ketë shpërblim njësoj si shpërblimi i tij. Ka thënë Profeti saus: “Kush i jep për të ngrënë një agjëruesi do të ketë shpërblim njësoj si ai, pa iu pakësuar shpërblimi aspak agjëruesit”[16]

Prandaj kush ushqen 36 agjërues çdo vit është njësoj sikur të kishte agjëruar gjithë vitin.[17] E kush i shton ushqimet e agjëruesve me këtë nijet Allahu do t’ia shkruajë agjërim të viteve të shumta.

Nga vlerat e tij është se ai që falet në netët e tij (Ramazanit) me besim dhe shpresë për shpërblim do t’i falen gjynahet e kaluara. Për shkak të fjalës së tij saus: “Kush falet netët e Ramazanit me besim dhe shpresë i fshihen gjynahet e kaluara”[18]

[1] E përcjell Bukhariu (1899) dhe Muslimi (1709).

[2] E përcjell Bukhariu (1904) dhe Muslimi (1151) (163)

[3] E përcjell Muslimi (1151) (164).

[4] Bukhariu (1896) Muslimi (1152).

[5] Tirmidhiu (765) dhe tha: “Hasen, sahih gharib”, Nesai (4/168), Ibn Maxheh (1640).

[6] E përcjell Ahmedi në “Musned” (6/365, 439), Tajalisij në “Musnedin” e tij (1666), Darimij (1738) në Kapitullin e agjërimit, tema: Kur haet ushqim në prani të agjëruesit, Tirmidhij (785) në kapitullin e agjërimit, Tema: “Çfarë shpërblimi ka agjëruesi kur haet ushqim pranë tij” dhe tha: “hasen sahih” (i mirë i saktë). Dhe Nesaij në “Sunen el kubra” në Kapitullin e agjërimit, tema: Kur haet në prani të agjëruesit… etj. Nga Ummu Ammarah e bija e Ka’bit – Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Dhe zinxhiri i tij është i saktë, siç përmendet në “Xhamiul Usul” (6/392)

[7] Sh. p.: Prangosja e djajve është diçka reale, dhe origjina e kësaj është armiqësia e pakompromis e shejtanin ndaj njeriut, siç thotë i Lartësuari: “Me të vërtetë shejtani është armiku juaj prandaj konsiderojeni atë armik”, dhe nuk shuhet armiqësia e tij vetëm nëse Allahu ndërhyn mes tij dhe cytjeve, përndryshe natyra e shejtanit është që të nxisë sa më shumë për në vepra të këqia dhe ai nuk ndalet prej kësaj veçse nëse ndalet, dmth pengohet. E sikur të thoshte:  “Ndikimi i cytjeve të tyre tek njeriu është më i vogël për shkak të agjërimit” do të ishte më e pranueshme. Allahu e di më së miri.

[8] Ka thënë Ibn Haxheri në “Fet’hul Barij” (4/118) : “Qëllimi me ndalimin e këtij veprimi është theksimi i këtij ndalimi gjatë agjërimit, përndryshe ai është i ndaluar edhe për atë që s’është agjërues”

[9] Es Sejjid Murteda ez Zebidij ka thënë në “It’haful sadetil muftin bi sherh Ihjai ulumid din” (4/191) : “Ndodhi një diskutim mes Ibn Salahut dhe Izz ibn Abdisselamit rreth mirësisë së erës së gojës së agjëruesit, a është kjo në dynja dhe në akhiret, apo vetëm në akhiret? Ibn Salahu zgjodhi të parën, ndërsa Ibn Abdusselami zgjodhi të dytën. Ibn Salahu u argumentua me fjalët e disa dijetarëve, dhe asnjëri prej tyre nuk e veçoi këtë me akhiretin, përkundrazi  pohuan prerazi se kjo nënkupton kënaqësinë dhe pranimin (e kësaj vepre)  e fjalë të ngjashme, gjëra këto që arrihen në dynja dhe akhiret.
Sh.p.: Thotë Ibn AbdulBerr në “Istidhkar”: “Ka për qëllim se është më e këndshme dhe më e dashur për Të se aroma e parfumit për ju.”

[10] Kjo ka ardhur me rrugë të saktë tek Ahmedi  në “Musned” (2/242, 316) Bukhariu (7501) dhe Muslimi (129)

[11] Ahmedi (2/400), Muslimi te kapitulli i pastërtisë me temë: Pesë namazet , xhumaja deri në xhuma dhe Ramazani deri në Ramazan shlyejnë gjynahet që bëhen mes tyre nëse u largohet të mëdhave” Nga Ebu Hurejrah.

[12] Bukhari (38) dhe Muslimi (760).

[13] E përcjell Ahmedi (1/378), Bukhariu (1905), Muslimi (1400)

[14] ‘ngushtojani rrugët me uri’ nuk është pjesë e hadithit – siç sqaroi el Irakij në “Takhrixhu ehadith el ihja” (1/232) – por është shtesë prej fjalëve të disa prej transmetuesve. Hadithi i plotë përcillet nga Alij ibnul Husejn se Safijah – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – erdhi tek Profeti sal lall llahu alejhi ue sel lem – kur ishte në i’tikaf. Kur u kthye e shoqëroi Profeti  – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe dikush prej ensarëve i pa të dy bashkë. Kur i pa e thirri atë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe i tha: Kjo është Safija (gruaja ime. Ta thashë këtë për të larguar ndonjë dyshim që mund të hedhë shejtani) Sepse vërtetë shejtani rrjedh tek njeriu nëpër damarët e gjakut.” Bukhariu (2039), Muslimi (2175) etj. 

[15] E përcjell Ibnus Sunnij, Ebu Nuajmi etj. Zejn el Irakij tha: “Zinxhiri i tij është i dobët”.

[16] Ahmedi, Tirmidhi i cili tha: (Hasen sahih) i mirë i saktë … etj me zinxhir të saktë.

[17] Sepse shpërblimi shumëfishohet të paktën dhjetëfish.

[18] Muslim (759), Bukhari (1901). Dhe Muslimi (760) me këtë tekst: “Kush falet në natën e Kadrit me besim dhe shpresë i falen gjynahet e kaluara, kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë i falen gjynahet e kaluara”.

Autor: Izzuddin Abdulaziz ibn Abdusselam es Sulemij
Vdekur më: 660 sipas hixhretit.