Selamu alejkum!
Të nderuar vëllezër!
Sonte pas akshamit është nata e parë e muajit të Ramazanit. Fillon një muaj, mirësitë e të cilit janë të shumta dhe jo të panjohura për ju.
Ky muaj, shfrytëzohet prej muslimanëve varësisht nga rëndësia dhe përkushtimi që i japin.
Prandaj, ju ftoj ta çmojmë Ramazanin, i cili vjen si dhuratë dhe mirësi prej Allahut, duke na ftuar të agjërojmë, të falemi, të lutemi, të lexojmë Kur’an, ta përkujtojmë Atë sa më shumë.
Mos harroni, se jeta jonë, është mundësi e artë për të arritur qëllime madhore. Dhe s’ka synim më fisnik se arritja e kënaqësisë së Allahut të lartësuar. Në këtë muaj është akoma më e mundshme.
Çdo natë përgjatë Ramazanit bëhet një thirrje, “O ti që synon të mirën nxito, o ti që anon nga e keqja, ndalo”!
Na fton, për një muaj sa më cilësor, duke u larguar nga punët e këqia, veset e ulta dhe gjërat e pa dobishme. Veprimtari e cila do përkthehet në devotshmëri, që është dhe qëllimi final i Ramazanit “QË TË BËHENI TË DEVOTSHËM”
Kush e ka për herë të parë agjërimin, të mos e humbasë mirësinë e këtij muaji nga dembelizmi apo frika se mos nuk e mban dot.
Agjëro, se Allahu që e ka obliguar, e lehtëson!
Allahu ju ruajtë, agjërim të mbarë, vepra të pranuara dhe na e largoftë sa më shpejtë Covid-19.
Përgatiti: Bledar Mulla (Myftiu i Sarandës)