1. Namazi i teravive fillon pas namazit të jacisë, ngase është parë Hëna dhe nesër -ditën e xhuma- është dita e parë e Ramazanit. Saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sle-lem se ka thënë: “Kush falet në Ramazan (namazin e teravive) me besim dhe duke llogaritur shpërblimin tek Allahu, atij i falen mëkatet e kaluara”. Prandaj, mos u trego neglizhentë në faljen e namazit të teravive në këto netë të begata.

2. Koha më e mira për faljen e namazit të teravive është fundi i natës, për atë që ka mundësi të ngrihet. Por kush e fal namazin e teravive në fillim të natës, pas namazit të jacisë, kjo lejohet. Po ashtu kush i fal në mesin e natës, përsëri kjo lejohet. Sa më shumë të vonohet (shtyhet) falja e teravive, aq më mirë është.

3. E sakta është se në fillim falet namazi i jacisë, pastaj bëhet dhikri i namazit, pastaj falen dy rekatet (sunetet) e pasme të jacisë dhe pastaj fillon namazin e teravive.

4. Nëse për arsye legjitime namazi i akshamit bashkohet me atë të jacisë, atëherë teravitë fillojnë pas përfundimit të namazit të jacisë, edhe pse është bashkuar në kohën e akshamit.

5. Namazi i teravive falet me xhemat, kjo është më e mira.

6. Lejohet që në namazin e teravive imami të lexojë nga Kurani. Kjo vlen vetëm për imamin dhe jo për xhematin. Pra, xhemati nuk duhet të mbajë Kuran në dorë për të ndjekur leximin e imamit.

7. Saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Kush falet me imamin derisa të jap selam…” d..m.th. deri në fund të namazit të teravive “i shkruhet atij namazi i natës”. Prandaj mos fal disa rekate me imamin dhe pastaj të largohesh dhe kështu nuk e fiton shpërblimin. Kjo, nëse imami fal njëmbëdhjetë rekate (p.sh. 2+2+2+2+3), ashtu siç ka vepruar dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

8. Origjina në faljen e namazit të teravive është zgjatja e leximit të Kuranit, zgjatja e rukusë dhe e sexhdes. Ku çdo veprim duhet të jenë të përafërta me njëra-tjetrën (për nga gjatësia). Ngase kështu ka qenë namazi i të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kjo, nëse nuk i sjellë vështirësi xhematit. Në të kundërtën falen në gjendjen që ju vjen më lehtë duke mos lënë mangut apo cënuar diçka prej shtyllave, vaxhibeve dhe suneteve të namazit.

9. E pëlqyeshme është që duaja e kunutit në namazin e teravive të bëhet pas gjysmës së muajit. Por nëse njeriu e bën në fillim deri në fund të tij, kjo s’përbën problem. Selefët e bënin duanë e kunutit pas mbarimit të gjysmës së Ramazanit.

Burimi: Udha e Besimtarëve