Personalitetet ngjasojnë me malet e larta. Ata lartësohen mbi të tjerët, shihen lehtë edhe nga larg, por ngjitja në lartësi është më e gjatë dhe më e lodhshme. Udhëtari që kërkon të arrijë majën, duhet të ecë shtigjeve e rrugëve të përpjeta dhe të thepisura dhe të përballojë me durim e këmbëngulje vështirësitë dhe lodhjen sfilitëse.
Në lartësi ajri është më i freskët, më i pastër dhe horizonti më i gjerë. Në vetëdijen e popujve, malet simbolizojnë krenarinë, madhështinë, bukurinë dhe përjetësinë. Mbi majat e maleve gërshetohen vështrimet nga të gjitha pikat e horizontit. Personaliteti i Profetit Muhamed (a.s.) është më i epërmi.
Drejt kësaj maje vështrojnë fushat, vështrojnë kodrat dhe malet e tjerë të lartë për t’u orientuar. Rrugëtimi drejt kësaj maje është më i gjati po jo i mundimshëm, jo i lodhshëm, i butë dhe i këndshëm, ashtu siç ishte edhe Profeti Muhamed (a.s.).
Gjatë ngjitjes udhëtari ecën përmes livadheve të mbushura me lule shumëngjyrëshe ku mijëra bletë mbledhin nektarin dhe polenin. Provon kënaqësinë dhe freskinë e ujërave të pastër që rrjedhin përgjatë faqeve të malit dhe zbresin tatëpjetë përjetësisht. Dëgjon këngët e zogjve që përzihen me fëshfërimën e pyjeve shekullore. Të gjitha këto bukuri mahnitëse e ngrenë shpirtërisht udhëtarin në një botë të pastër si uji dhe ajri i këtij mali. Herë-herë majën e malit e mbulojnë retë dhe e mbështjellin me një vello të bardhë mjegulle. Ashtu i zhytur në re dhe mjegull, mali bëhet më i bukur e më madhështor dhe rrugët duket sikur shkojnë drejt qiellit. Kur retë dhe mjegulla shpërndahen, mali duket më qartazi.
Ky është Profeti Muhamed (a.s) – i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin Profeti Muhamed (a.s.) është personaliteti që Zoti e pajisi më gjithë bukuritë dhe lartësitë e shpirtit, me vetitë më të mira e të rralla, mendjen më të zgjuar dhe zemrën më të pastër.
Nga cilado anë të vështrohet, ai rrezaton dhe shërben si model për njerëzit e kohës së tij edhe për të gjitha gjeneratat e mëvonshme të njerëzimit. Nga ky model marrin shembull e frymëzim drejt së mirës: fëmija dhe i riu, i rrituri dhe i moshuari, jetimi dhe familjari, i pasuri dhe i varfëri, tregtari dhe luftëtari, pushtetari, mësuesi dhe predikuesi, pavarësisht kohëve, vendeve, pozicioneve shoqërore, gjendjes ekonomike dhe niveleve kulturore. Në kupën qiellore yjet ndritin më mirë në natën e errët. Muhamedi (a.s.) është ylli i karvanit.
Kush orientohet nga ky yll, nuk e humbet rrugën e drejtë në botën tokësore dhe atë të përtejmen, që është e përjetshme. Për këtë personalitet janë shkruar shumë libra nga dijetarë, historianë e biografë, në gjuhë të ndryshme të botës. Për jetën dhe veprën e Profetit Muhamed (a.s.) do të shkruhet dhe në të ardhshmen, pasi ajo është gurrë e pashtershme.
Ky libër përpiqet të sjellë pak ujë prej kësaj gurre, për të shuar etjen e klimës së nxehtë që përjeton sot njerëzimi.
Më poshtë gjeni librin e plotë.