Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu, i falen atij mëkatet e kaluara. Kush falet natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu, i falen atij mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi
Shejh Salih el-Usajmi (Allahu e ruajttë!): Te fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu” dhe “Kush falet natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin te Allahu” përmenden dy kushte për të arritur (fituar) shpërblimin e përmendur në hadith.
E para: Agjërimi të kryhet me besim në urdhrin e Allahut.
E dyta: Këto të kryhen duke llogaritur shpërblimin. Pra, duke kërkuar shpërblimin nga Allahu Lartmadhëruar.
Këto dy kushte të rënda personi duhet t’i dëshmojë (besojë) me zemrën e tij në mënyrë që të arrijë (fitojë) shpërblimin (e përmendur në hadith).
Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “i falen atij mëkatet e kaluara”, tek disa dijetarë kjo (falje mëkatesh) përfshin mëkatet e vogla dhe të mëdha. Porse medh’hebi i shumicës së dijetarëve është se kjo kufizohet vetëm për mëkatet e vogla. Ndërsa mëkatet e mëdha kanë nevojë për pendim të veçantë. Ky është medh’hebi i shumicës së dijetarëve në lidhje me hadithet e tilla. Madje Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka përcjellur konsensusin e dijetarëve për këtë në “Fet’hul-Barij” dhe “Xhamiu el-Ulum uel-Hikem”. Ndërsa të tjerët e kanë konsideruar “shadh” këtë fjalë.
“Sherh Ehadith shehr Ramadan” Ibën Esakir
Përktheu: Unejs Sheme – Udha e Besimtarëve